Nga Shqipëria / E Mërkurë 28 Prill 2021, 17:05

31-vjeçari bën akuzën e rëndë për Adi Krastën: Më ka bullizuar

Ditën e sotme në Shqipëria Live është trajtuar tema e bullizmit. I ftuar ishte një 31-vjeçar i quajtur Labinot Azemi, i cili ishte bullizuar që në moshë të vogël për shkak të pamjes fizike.

Ai tha se periudha më e vështirë e jetës së tij ka qenë në fakultet, kur studionte për gazetari. Labinoti rrëfeu se është bullizuar nga pedagogët dhe sipas tij, një ndër to ka qenë dhe Adi Krasta. Sipas deklaratës së 31-vjeçarit, Krasta e krahasonte me të tjerët dhe e neglizhonte gjatë gjithë kohës.

“Të them të drejtën, fatkeqësisht domethënë, ndonëse unë nuk etiketoj për emra, ajo që e ka vulosur është në kohën e fakultetit, kur unë kam studiuar gazetari. Unë kam pasur një qasje të mirë me kolegët në fakultet, por duhet patjetër ta them këtë pjesë, bëhet fjalë për pedagogë që janë personazhe të rëndësishëm në botën e televizionit. Thashë që nuk do të përmend emra se nuk është etike, por ata e dinë se për kë bëhet fjalë. Unë kam qenë student i personazheve të njohur dhe ky bullizim ka ndikuar kaq shumë te unë dhe më ka kanë shuar dëshirën për gazetarinë, për të cilën kam qenë shumë i apasionuar.

Çfarë më kanë thënë? Çfarë kanë mundur të më thonë përderisa unë nuk i merrja notat e merituara, pastaj diferencimi që ky është më i mirë se sa ty. Më kanë krahasuar me të tjerët për pamjen e jashtme. Jam bullizuar prej atyre që i kam ndjekur në ekran me shumë kënaqësi edhe dashamirësi, sot jam stepur para tyre. Sa herë që shkoja në zyrat e tyre apo në korridore më thonin nuk kam kohë, se për të tjerët kishin. Për pamjen se nuk kanë pasur arsye tjetër, se unë isha veç student. Kam pasur shumë dashamirësi për Adi Krastën, kam qenë student i tij por që ai më ka zhgënjyer dhe nuk më ka dhënë aq sa kam merituar.

Kur thashë që jam zhgënjyer e lashë të kuptohej që ka qenë pjesë e bullizmit. Në momentin që të thotë ky është më i mirë se ti, të lë të kuptosh se unë jam më ndryshe se tjetri. Në korridore që doja të flisja me të, më neglizhonte. Unë doja të konsultohesha se kisha shumë stres, por puna e pamjes dhe bullizmi ndikonte jashtëzakonisht shumë. Kur ishim në pushim ai nuk më jepte fare hapësirë. Nuk jam ballafaquar me të pasi jam ndjerë shumë keq, jam lënduar. Diferencimi ka ndodhur. Pavarësisht të gjithave Krasta do të mbetet një ikonë e televizionit shqiptar, por kur njeriu ballafaqohet në realitet është ndryshe”, tha ai.