
Seriali i parë i Ermal Mamaqit, i titulluar “H.O.T” (Humans of Tirana), nisi me datë 24 Tetor në Tv Klan. “H.O.T” do të ketë 10 episode, të cilat do të transmetohen çdo të dielë.
Një ndër aktoret e serialit është Jonida Vokshi. Ajo luan rolin e të fejuarës së Ermalit, me emrin Amanda. Së fundmi, në një intervistë ekskluzive për “xing.al”, Jonida ka zbuluar më shumë detaje nga ky projekt dhe rreth rolit të saj.
Intervistë me Jonidën:
1. Si erdhi përfshirja jote në serialin HOT?
Nga një propozim që më erdhi nga 2 producentët Ermal Mamaqi dhe Dritan Huqi. Lexova skenarin, diskutuam rreth personazhit dhe pa menduar gjatë isha e lumtur të isha pjesë e "HOT".
2. Ti luan rolin e Amandës, cfarë mendove kur lexove skenarin dhe rolin tënd?
Zakonisht kur lexoj një skenar ku një rol është për mua, fillimisht mendoj për skenarin e tërë më pëlqen apo jo, se nëse ai është i mirë sjell dhe suksesin e personazhit. Hapi i dytë është personazhi, të cilin ndodh ta kem me pëlqim të parë ose pas një analize. Në këtë rast Amanda më ngjiti menjëherë për trajektoren e ngjarjeve që i ndodhin që e bëjnë që në vazhdimësi të ndryshojë si personazh.
3. Cfarë të pëlqen më shumë te ky personazh dhe cfarë jo?
Më pëlqen shumë te Amanda një tipar karakterial i saj që beson deri në fund tek ajo që do dhe njëkohësisht nuk më pëlqen që kjo shkon dhe përtej respektit për veten. Është e komplikuar, deri në momentin kur gjithçka ndryshon…bashkë me atë vetë.
4. Cili është mesazhi që përcon personazhi yt tek publiku?
Zakonisht personazhet e një seriali nuk janë për të përcjellur një mesazh, por jetën reale me disa mesazhe brenda saj edhe për shkak të jetëgjatësisë së këtij zhanri ku ndodh që personazhet edhe ndryshojnë radikalisht. Në rastin e Amandës do thoja vetëm që është ai shembull që pavarësisht një jete të rehatshme mes mirëqenies vjen momenti që kërkon të marrë përgjegjësi të mëdha.
5. Ermali ka zbuluar se gjatë transmetimit të serialit do e shohim në një skenë të nxehtë me ty, ishte e vështirë apo e sikletshme për t’u xhiruar?
Nuk e quaj një skenë të nxehtë, është një moment normal që ndodh mes çdo çifti, madje në këtë rast i ardhur në një mënyrë që lë të nënkuptohet çfarë ndodh. Por zakonisht skena të tilla janë të vështira, sidomos kur kolegun e ke dhe shok të mirë.
6. Nëse do të kishe një rol tjetër përpos Amandës, cilin personazh do doje të luaje?
Danin hahahahahahahahaha (roli i luajtur nga Ermali)
7. Si kanë qenë reagimet që ke marrë për serialin pas episodit të parë?
Më të mira seç e prisja, pasi unë jam gjithmonë kritike për produksionet që jam pjesë e për veten time, pasi dua që gjithçka të jetë perfekte. Por këtë herë thuajse çdo gjë ishte në vendin e vet dhe i vlerësoj shumë komentet pozitive të miqve të mi kineastë dhe publikun për të cilin është bërë ky serial.
8. Cfarë të pëlqen më shumë nga ky serial dhe pse duhet publiku t'i ndjekë episodet e tjera?
"HOT" nuk ka çudira, po të bën të qeshësh e të qash, trajton dashurinë, familjen, miqësinë, tradhëtinë, karrierën dhe personazhet kanë një larmi dhe shumë ngjyra që i sjellin këto fenomene edhe me reale.
9. Ke treguar se ndryshe nga shumë prodhime të tjera ku ke qenë pjesë, ky serial ka shumë momente gazmore. Na trego skenën e cila sipas teje të bën më shumë për të qeshur?
Ne kemi qeshur përditë, shumë, që domethënë vërtetë nuk di as kë të veçoj më. Kështu që mos t'ju lodh, futuni tek faqja e "HOT" në Instagram dhe tek video ime prezantuese e kam thënë një prej skenave. (Lexo këtu)
10. Siç e përmendëm më sipër seriali ka dhe skena të nxehta, bëhet Besniku xheloz?
Besniku është aktor dhe kjo lloj xhelozie nuk ekziston mes nesh, por pavarësisht kësaj, tek "HOT" nuk i kam unë skenat e nxehta, kështu që për të tjerat nuk bëhet xheloz.
11. Do të jesh në sezonin e dytë dhe a mund të na zbulosh më shumë?
Retiçencë