
Dy neurokirurgët Sergio Canavero dhe Ren Xiaoping njoftuan të premten, më 17 nëntor, se ata arritën të kryenin "transplantin e parë të kokës" nga dy kufoma. Një eksperiment ky i cili ngriti shumë diskutime dhe pyetje të panumërta.
Nën cilat kushte ishte kryer ky eksperiment?
Neurokirurgu italian Sergio Canavero dhe homologu i tij kinez Ren Xiaoping njoftuan të premten, më 17 nëntor, se kanë arritur të kryejnë transplantimin e një koke në një tjetër trup. Një eksperiment i kryer nga dy trupa të pajetë, pasi që "dhuruesi" dhe "marrësi" ishin të dy të vdekur. Operacioni zgjati 18 orë dhe u krye në Kinë.
Gjatë konferencës për shtyp, kirurgu nuk dha asnjë informacion nëse transplanti kishte shkuar mirë, por ekipi publikoi detajet e operacionit në Surgical Neurology International. Dy ekipe të kirurgëve kryen kështu një prerje të kokës së dy personave që kishin ndërruar jetë. Pastaj ata e vendosën kokën e njërit prej trupave në trupin e tjetrit, duke lidhur nervat dhe enët një nga një. Ata gjithashtu lidhën gjëndrën e tiroides, hendekun dhe ezofagun, si dhe nervin vagus.
Sipas tyre shumë pacientë janë vullnetarë. Deri kohët e fundit, një nga personat që po vuante nga sëmundja e Werdnig Hoffmann, e cila i shkaktoi atrofi muskulare, ishte një nga kandidatët kryesor. Ai më vonë e ka braktisur këtë projekt dhe ekipi i neurokirurgut italian tregon që transplantimi i parë do të jetë tek një pacient kinez.
Çfarë mendojnë mjekët për këtë lloj transplanti?
Komuniteti shkencor është shumë kritik ndaj Sergio Canavero. "Unë nuk mendoj se operacionet e kryera në pacientët të cilët kanë vdekur mund të përshkruhen si të suksesshme, pasi ne nuk mund të shikojmë në qofte se ka funksionuar kjo gjë apo jo" thotë neuroshkencëtari Dean Burnett në të përditshmen britanike ‘The Guardian’.
Jocelyne Bloch, profesor i neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Lozanës, beson se është e vështirë për të vlerësuar suksesin teknik të këtij operacioni. Në përgjithësi, profesioni mjekësor konsideron se në një nivel teknik, eksperimentet e kafshëve nuk janë mjaft bindëse për të qenë në gjendje të zbatojnë të njëjtën procedurë tek njerëzit.
Cilat janë rreziqet mjekësore?
Disa ekspertë vënë në pikëpyetje balancën midis përfitimit të mundshëm të një operacioni të tillë dhe rreziqeve që mund të ketë gjatë dhe pas tij. Për më tepër, rikyçja e palcës kurrizore nuk është provuar deri tani, dhe për këtë arsye një transplant i tillë do të ishte i rrezikshëm.
"Kjo procedurë nuk do të përmirësojë shëndetin e pacientit, sepse nuk ka gjasa që ai të rimarrë një funksion neurologjik, apo edhe të mbijetojë", shpjegoi në maj të vitit 2017 për Sciences et Avenir Marike Broekman, neurokirurge në Universitetin e Montrealit.
"Në këtë rast, operacioni do të zhvillohet në Kinë, një vend i kritikuar për mbikëqyrjen e tij më pak të rreptë dhe problemet që ka në rregullimin etik ...", vazhdon ajo. Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e pëlqimit të pacientit, duke përfshirë rrezikun e "premtimeve të rreme" të bëra për pacientët tetraplegjikë që shpresojnë të rimarrin aftësitë e plota motorike.