Nga Shqipëria / E Premte 30 Qershor 2023, 01:01

Prej 22 vitesh në SHBA, shqiptari: Jeta në Amerikë si dita me natën me Shqipërinë

Është mbajtur më 10 Qershor në New York parada më e rëndësishme e shqiptarëve që organizohet çdo vit në këtë muaj. E kthyer në një traditë mijëra shqiptarë të veshur kuqezi marshuan në rrugët e qytetit. I pranishëm në paradë ka qenë edhe një qytetar me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, i cili prej 22 vitesh jeton dhe punon në SHBA.

Pasioni për makinat e vjetra e kishte sjellë atë në paradë me një makinë “Retro”, treksa tregoi për gazetarin Blendi Fevziu jetën në Amerikë dhe dallimet me Shqipërinë.

Blendi Fevziu: Është pjesa e makinës “Retro” dhe përpara kemi motoristët, të cilët janë pjesë më interesante.

Fevziu-drejtuesit të makinës “Retro”: A të hipi me ty?

Qytetari: Po patjetër.

Blendi Fevziu: Më rehat se kaq nuk kam qenë asnjëherë. I cilit vit është makina?

Qytetari: 1929.

Blendi Fevziu: Ku e ke blerë makinën?

Qytetari: Këtu në New York.

Blendi Fevziu: Nga je?

Qytetari: Nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Ka 1 vit që e kam blerë këtë makinën. Kam edhe makinë të re, por kam qejf këtë të vjetrën.

Blendi Fevziu: Edhe i paske të dyja, edhe flamurin shqiptar, edhe atë amerikan.

Qytetari: Po, të dyja, Zoti i bekoftë të dyja. Kam 22 vjet në Amerikë. Kma ardhur në Amerikë për një jetë më të mirë.

Blendi Fevziu: A është më e mirë jeta në Amerikë?

Qytetari: Po, më e mirë. Si dita me natën me Shqipërinë. Më e mirë do të ishte jeta atje po të kishim punë, por kur nuk ke punë… Shkoj për për çdo verë në Shqipëri, edhe 2 herë në vjet. Më pëlqen sepse është vendi yt.

Kjo paradë i dedikohet lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe është edicioni i 15 që organizohet në New York./tvklan.al