Nga Shqipëria / E Enjte 6 Korrik 2023, 13:01

5 vite me detyrim në Shqipëri, studentët e mjekësisë dalin në protestë

Studentët e mjekësisë kanë protestuar sot para oborrit të fakultetit pranë rektoratit. Kjo si pasojë e vendimit që mori qeveria për të mbajtur me detyrim për 5 vite studentët e mjekësisë në atdhe pas përfundimit të studimeve.

Studentët bëjnë thirrje dhe kundërshtojnë draft-propozimin, që shpejt pritet të kthehet në një vendim të miratuar, siç konfirmoi një ditë më parë kryeministri Edi Rama.

Studentët theksojnë se nuk duan të largohen nga Shqipëria, por e cilësojnë si një masë represive dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut mbajtjen me detyrim në atdhe.

Ata kërkojnë nga ministritë përkatëse përmirësimin e kushteve, të auditorëve, ambienteve të praktikave dhe spitaleve rajonale, që sipas tyre, nuk përmbajnë elementet për ushtrimin normal të profesionit.

Nga ana tjetër qeveria, ndryshoi propozimin e artikuluar më herët. Për studentët që do të regjistrohen rishtazi në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të nënshkruajnë një kontratë, që i mban të lidhur për 5 vite në ushtrimin e profesionit në Shqipëri.

Ata që janë duke vazhduar studimet, duke nisur nga viti i dytë e deri në të katërtin, kjo kohë do të jetë 3 vite, ndërsa për vitet e 5 dhe të 6, ushtrimi i profesionit me detyrim do të jetë 2 vite. Këto masa shikohen nga qeveria dhe dikasteret përkatëse, si të duhura për të frenuar emigracionin e bluzave të bardha. Duke nisur nga ky vit i ri akademik, janë rritur edhe kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë.

Pritet të jetë 500 maturantë që do të pranohen në këtë degë studimi, por me kushtin që krahas provimeve të përfunduara të maturës, të kalojnë me sukses një tjetër provim në formatin elektronik për vlerësimin e njohurive.