Nga Shqipëria / E Diel 23 Korrik 2023, 09:09

Pamje apokaliptike në Rodos, Greqi, nis evakuuimi i mbi 30 mijë turistëve

Situata në ishull grek Rodos paraqitet alarmante për shkak të vatrave të zjarrit, të cilat janë prezente që prej ditës së martë. Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë dhe hotelet në ishullin Rodos, sipas shërbimit zjarrfikës të Greqisë.

Anijet private i janë bashkuar rojës bregdetare greke për të ndihmuar në marrjen e njerëzve nga plazhet në lindje të ishullit.

Zëvendës shefi i zjarrfikësve i Greqisë tha se zjarret në Rodos janë më të vështirat me të cilat përballet shërbimi i tij aktualisht. Nuk raportohet për të lënduar, sipas Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile në Greqi.

Pesë helikopterë dhe 173 zjarrfikës po operojnë në zonë, ndërsa tre hotele në zonën e Kiotarit raportohet se janë dëmtuar nga zjarri. Zonat e Laermës, Lardos dhe Asklipio u prekën gjithashtu.

Departamenti i zjarrfikësve, në një konferencë për shtyp u shpreh se situata është alarmante dhe se zjarri më i vështirë që vendi është përballur ndonjëherë.

Njerëzit janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi dhe vendet turistike - përfshirë Akropolin e lashtë të Athinës - do të mbyllen gjatë pjesëve më të nxehta të dy ditëve të ardhshme.

Vala e fundit e të nxehtit vjen në një nga periudhat më të ngarkuara për industrinë e turizmit në vend.