Nga Shqipëria / E Martë 25 Korrik 2023, 01:01

Sugjerimi i pedagoges: Të bëhet një plazh në Spille për ne gratë myslimane

Temperaturat ekstreme duket se janë të papërballueshme për të gjithë, ku shumëkush po shfrytëzon plazhet. Por mesa duket në plazhet publike të Shqipërisë gratë myslimane po ndjehen të paragjykuara dhe kërkojnë një plazh enkas për to.

Sugjerimin e ka dhënë pedagogia Malvina Tafçiu, e cila tha se duke qenë se shkojnë në plazh të mbulurar, jo pak herë bien pre e provokimeve. Për të jetuar te lira, ajo mori modelin e Turqisë, që ka plazhe vetëm për gratë e mbulura. Ajo sugjeroi më tej në një intervistë për “Good morning Albanians”që në Spille të bëhet një plazh për gratë myslimane.

“Po flasim për një shoqëri demokratike, që themeli i shoqërisë demokratike është diversiteti kulturor. Në momentin që ti shkel liritë themelore, individuale normalisht që ti minon konkretisht vet të gjithë sistemin e jetës demokratike. Nëse unë shkoj në një plazh që nuk ka njerëz si unë, e di shumë mirë që do të paragjykohem sepse ata nuk e kanë problemin me veshjen time, e kanë me islamin në tërësi.

Përse në vend që t’ua mohosh të drejtën e plazhit grave myslimane dhe të bësh diskriminim nuk iu krijon mundësi për t’i shijuar plazhet dhe bukuritë e natyrës? Siç e ka Turqia, ka vende specifike për gratë myslimane. Një ndër plazhet që ne myslimanët frekuentojmë është Spilleja. Ka plot mënyra dhe forma se si unë ta shijoj jetën dhe të shfrytëzoj hapësirat publike,”u shpreh Tafçiu.