Nga Shqipëria / E Martë 25 Korrik 2023, 13:01

Partneri i propozoi në Turqi, 39-vjeçarja rrëzohet nga shkëmbi 30 metra dhe vdes

Festa e një çifti është kthyer në tragjedi. Një 39-vjeçare në Turqi ka humbur jetën pasi u propozua për martesë nga partneri.

Yesim Demir ishte me pushime në Çanakale, në veriperëndim të Turqisë, me të fejuarin e saj Nizamedin Gursu. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, çifti ishte ngjitur në një shpat për të festuar me pamje nga perëndimi i diellit propozimin për martesë, që i kishte bërë pak më herët. Sipas dëshmisë së Gursu, rrëzimi i Yesim ndodhi kur ai shkoi të merrte gjërat e nevojshme për piknik nga makina e tij dhe papritmas dëgjoi një britmë. Edhe pse ai u kthye me shpejtësi, pa se e fejuara e tij kishte rënë nga shkëmbi.

39-vjeçarja u gjet e gjallë, por e plagosur rëndë. Ajo ndërroi jetë pak kohë më vonë, pavarësisht përpjekjeve për ta ringjallur.

“Zgjodhëm këtë shpat për të pasur një kujtim romantik pas propozimit tim për martesë. Ne pimë alkool. Gjithçka ndodhi në një çast. Ajo humbi ekuilibrin dhe ra në boshllëk”, tha Gursu i tronditur.