Nga Shqipëria / E Enjte 27 Korrik 2023, 12:12

Mashtrimet me call center, policia jep emrat: Kush janë personat e arrestuar

Policia e Tiranës ka bërë publike emrat e 9 personave të arrestuar si pasojë e operacionit “Dream Earning” që goditi një grup që merrej me mashtrimet me call center. 5 prej tyre janë lënë në arrest me burg, ndërsa 4 në arrest shtëpie.

“Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit Hamit Dobi, Erion Kastrati, Aldo Pasku, Gjin Shelnishta, dhe Mojsi Zuna.

Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasit Greta Gjoci, Olta Toci, Rezarta Ibrahimi dhe Silvana Veliu”, njoftoi policia.

Në lidhje me këtë hetim janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë. Dy prej tyre rezultojnë se kanë dalë nga Shqipëria. Njëri ka dalë 3 ditë para se të kryhej ky operacion, ndërsa një tjetër dy ditë pasi u realizua një tjetër operacion që goditi një call center në Tetor të 2022.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi  B. Ç., ka dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë më datë 23.07.2023 nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, ndërsa shtetasja A. M., më datë 27.10.2022, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas”, njoftoi policia.

Policia ka kontrolluar 12 banesa dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike.

“Në kuadër të këtij procedimi janë kontrolluar 12 banesa dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike (telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin), të cilat kanë kaluar për ekspertim kompjuterik në laboratorin pranë Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike në Prokurorinë e Posaçme”, njoftoi policia.

Kujtojmë se ky operacion u krye pas hetimeve të SPAK me Prokurorinë e Pordenones në Itali.

Burimi: tvklan.al