
Një lajm i trishtë vjen për aktorin e njohur i cili ka luajtur në serialin hit të HBO Euphoria, Angus Cloud. Aktori është ndarë nga jeta në moshën 25-vjeçare. Cloud, i cili luante rolin e tregtarit të drogës Fezco “Fez” O’Neill në dramën e adoleshencës, vdiq të hënën në shtëpinë e familjes së tij në Oakland, Kaliforni. Ka qenë familja e tij e cila përmes një deklarate ka njoftuar ndarjen nga jeta të aktorit. Cloud varrosi babanë e tij javën e kaluar, sipas familjes, dhe ishte në një “betejë me shëndetin mendor”.
“I vetmi ngushëllim që kemi është të dimë se Angus tani është ribashkuar me babanë e tij, i cili ishte shoku i tij më i mirë”, thuhej në deklaratë.
Ndërkohë shkaku i vdekjes nuk është dhënë akoma teksa dy javë më parë, Cloud postoi një foto të babait të tij në Instagram dhe shkroi se i mungonte. Një burim i afërt me familjen e Cloud tha për Entertainment Tonight se Cloud “kishte qenë duke luftuar me mendime të rënda për vetëvrasje” pasi u kthye nga Irlanda ku kishte varrosur babanë e tij.
“Ne jemi jashtëzakonisht të pikëlluar pasi mësuam për vdekjen e Angus Cloud. Ai ishte jashtëzakonisht i talentuar dhe një pjesë e dashur e familjes HBO dhe Euphoria,” tha HBO në një deklaratë.
“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për miqtë dhe familjen e tij gjatë kësaj kohe të vështirë.”