
Një vajzë nga Maryland, SHBA bëri një test ADN-je dhe zbuloi se kishte plot 65 motra e vëllezër nëpër Amerikën e Veriut. Brenna Siperko u ngjiz nëpërmjet dhurimit të spermës, por nuk ia merrte mendja që të kishte kaq shumë vëllezër e motra që kishin ardhur në jetë nga i njëjti person, babai i saj biologjik.
New York Post shkruan se e reja në janar të 2022 bëri një test ADN-je dhe fillimisht zbuloi se kishte 13 vëllezër e motra. E pasi e zbuloi këtë, ata e lidhën atë me më shumë individë të tjerë që ishin ngjizur me të njëjtin baba. Deri më tani ajo ka zbuluar se ka 65 të tillë.
Kjo e lumturoi pamasë 20-vjeçaren, e cila u rrit si fëmijë i vetëm. E reja madje ka mundur të takojë disa prej tyre dhe ka zbuluar jo vetëm që ndajnë të njëjtin baba biologjik, por shumë prej tyre janë gati e njëjta moshë dhe kanë edhe ngjashmëri.